Vettingu i politikanëve, Rushaj: I njëjti standard si për prokurorët dhe gjyqtarët

Nga A2 CNN
21 Tetor 2021, 13:35 | Politikë
Vettingu i politikanëve, Rushaj: I njëjti standard si për

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj deklaroi se amendamentet e dorëzuara nga ana e PD nuk janë një bashkëpunim me PS, por janë çështje që do të diskutohen.

Në një komunikim për mediat nga selia blu, i pyetur nga gazetarët nëse i shkel të drejtat e njeriut drafti për vettingun e politikanëve, ai tha se është përdorur i njëjti standard si në vettingun e magjistratëve, prokurorë dhe gjyqtarë, dhe nuk ka asnjë arsye që politikanët të përdorim një standard tjetër.

“Ne padyshim që kemi rezerva me punën e SPAK dhe nuk kemi lëvizur nga ai qëndrim. Por ne po investojmë në këtë gjë për dy arsye; e para sepse nuk kemi gjë për të fshehur, pavarësisht kush e bën vettingun e politikanëve dhe së dyti duke qenë një proces publik, prokurorët e SPAK do të duhen ta bëjnë vendimmarrje publike. Nëse kjo bëhet publikisht ky do të jetë gjykimi më i mirë që qytetarët shqiptarë do t’i japin punës së SPAK.

Ju thoni bashkëpunim, unë do të thoja që nuk do të jetë bashkëpunim. Do të jetë diskutim siç e kërkon procedura dhe rregullorja e Kuvendit. Deri tani nuk jemi ulur. Por në mbledhjen e parë, siç e kërkon Rregullorja, do të thirret nga Kryetarja e Kuvendit dhe aty do të ulen anëtarët e Komisionit të Ligjeve të PD- së dhe PS-së, anëtarët e Këshillit të Legjislacionit të PD-së dhe ata të partisë tjetër dhe do të bëhet diskutimi përpara kamerave, që të gjithë shqiptarët të shohin kush janë argumentat tona dhe të palës tjetër”, tha Rushaj. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos