
Në Shqipëri, kuadri ligjor është i mirërregulluar, por komentet fyese, raciste e madje në disa raste denigruese vijon të mbetet prezente.
Kështu shprehet Komisioni Europian në raportin e progresit, dokument në të cilin i sugjeron institucioneve të ashpërsojnë masat ndaj atyre që përdorin gjuhën e urrejtjes.
Në një aktivitet mbi këtë tematikë të organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ky i fundit solli edhe një rast konkret të gjuhës diskriminuese të përdorur nga një ish anëtar i Parlamentit.
Urim Bajrami, i cili foli nga pozita e Kryetarit të Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive, referuar rasteve të marra në shqyrtim nga ky institucion, tha se në vend fenomeni i gjuhës së urrejtjes është i kufizuar në raste sporadike, duke mos pasur përmasa shqetësuese.
Gjuha e urrejtjes në vend, në segmente të ndryshëm kohorë ka marrë vëmendje të veçantë. Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, refugjatët nga Lindja e Mesme gjatë vitit të shkuar apo ardhja e qytetarëve afganë kanë shënuar edhe momentet ku komentet fyese e raciste kanë marrë përmasa shqetësuese. (A2 Televizion)