
Ndonëse Komisioni i Sigurisë parashikonte diskutime mbi transformimin e SHÇBA në një agjenci të mbikqyrjes policore, kriminaliteti në vend dhe rokada e policisë, kryesisht e të njëjtëve drejtues, ishte kryefjalë e opozitës.
“Çfarë është kjo rokadë mes drejtorëve të policisë. Ç’ështe kjo histori. Krimi godet në Fushë Krujë dhe drejtorin e vendosin në Durrës. Kur t’i mbarojë vaji kandilit, nuk është etike. Kërkoni ndjesë”, tha Xhaferraj.
“Prezenca dhe mospërgjigja ndaj shqetësimeve dhe reagimi edhe në mbledhjen e kaluar, ku s’kishte as në dijeni drejtorin e përgjithshëm dhe kryepolic është Rama. Ngjarjet janë lemeritëse për të gjithë qytetarët dhe mosshfrytëzimi i një medium është e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Ka frikë t’i përgjigjet pyetjeve të ngritura në një situatë shumë të keqe për sigurinë publike”, tha Salianji.
“Keni një polici të zhytur në krim, në drogë. Agjencia e mbikqyrjes të kishte eficencë absolute, por historia ka treguar se kupola e policisë është kriminalizuar nga politika. Vullneti politik për të mbajtur të mbërthyer Policinë e Shtetit është i frikshëm dhe ky është shqetësim shumë i madh. Po qarkullojnë titullarët, të cilët dikur janë hequr se kanë dosjen sa një mal të përfshirë në krim, në afera e trafik, riciklohen përsëri nëpër disa drejtori, kjo tregon ose keni ezauruar çdo kapacitet ose kupola është e gjitha e inkriminuar dhe ju thoni ky është më pak, ky është më shumë”, u shpreh Noka.
Por ministri i brendshëm nuk pranoi të komentonte. Në total, në të gjithë vendin nga fillimi i vitit regjistrohen 15 ngjarje kriminale te pazbardhura ndërsa në asnjërën prej tyre hetimet nuk kanë nxjerrë të dyshuarit. (A2 Televizion)