
Për të paktën 60 minuta dhoma e pavionit të Kardiologjisë në QSUT, ku qëndron Ardian Çapja u shndërrua në një sallë gjyqi të Gjykatës së Elbasanit.
53-vjeçari i akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese” nuk mund të shoqërohej në gjykatë, për shkak të ndërhyrjes që iu nënshtrua pas prangosjes nga RENEA. Ndonëse u përball në spital me gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe prokurorët Ritvan Sukaj e Kreshnik Ajazi, i dyshuari si porositës i ekzekutimit të Nezir e Gentian Beqirir në vitin 2012 në Elbasan, nuk mundi t’i shpëtojë masës së sigurisë “arrest në burg”.
Burime brenda seancës bënë me dije se prova kryesore e prokurorisë në seancë ishte dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur Ervis Bardhi, ekzekutori i babë e bir, por që pretendon se ishte porositur për vrasjen nga Ardiane Florenc Çapja.
Sipas burimeve, vetë 53-vjeçari i dyshua ka qenë nën efektin e medikamenteve dhe në pamundësi për të dhënë shpjegime apo deklarime. Avokatët e tij kanë kërkuar deklarim të paligjshëm të arrestit dhe mos-caktimin e asnjë mase sigurisë, pretendim që u refuzua nga gjykata. Ardian Çapja u arrestua nga operacioni “KRASTA 2021” i RENEA-s mëngjesin e herët të së martës në banesën e tij në Elbasan, ku u gjete dhe një kallashnikov, si edhe disa radio e uniforma policie. Po në lidhje me vrasjen e dyfishtë të vitit 2012, Prokuroria e Elbasanit firmosi urdhër-arresti edhe për të afërmin e 53-vjeçarit, Florenc Çapja, por ai nuk u arrestua, pasi rezulton të ishte larguar më parë jashtë vendit. (A2 Televizion)