Gjykata e Posaçme i refuzon lirimin njërit prej të akuzuarve për vrasjen e Vajdin Lamajt

Nga A2 CNN
11 Shtator 2021, 11:51 | Kronikë
Gjykata e Posaçme i refuzon lirimin njërit prej të akuzuarve

Gjykata e Posaçme lë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Viktor Ymerin, i akuzuar për pjesëmarrje në ekzekutimin e Vajdin Lamajt në shkurt të vitit 2005.

Pretendimet e tij për zëvendësim të masës së sigurisë nuk u morën parasysh nga gjykata. Ymeri qëndron në qeli prej dhjetorit të vitit 2020, kur u arrestua me kërkesë të SPAK, pas dyshimeve se ishte përfshirë në ngjarjen e bujshme të vrasjes së biznesmenit Lamaj dhe Dritan Arsit. Për të njëjtën ngjarje, SPAK akuzon edhe Emiliano Shullazin.

Sipas SPAK, kanë qenë deklarimet e një të penduari, që kanë ndihmuar prokurorët të shkundin pluhurin e këtyre dosjeve dhe të shkonin tek emrat e autorëve të dyshuar. Sipas SPAK, autorë të tyre janë ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, kunati i tij, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullai dhe Luftar Reçi, për të cilët janë lëshuar urdhër arreste nga Gjykata e Posaçme. Ndërsa Indrit Taullai u arrestua pak ditë më parë në Kosovë dhe Luftar Reçi vuan një dënim me burg, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj nuk janë gjendur dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

https://a2news.com/2021/02/06/lirohet-ne-dubai-plaurent-dervishaj-ne-kerkim-nga-spak-per-vrasje-dhe-grup-kriminal/

Për ekzekutimin e biznesmenit Lamaj, SPAK pretendon se ata kanë bashkëpunuar edhe me Viktor Ymerin dhe Emiliano Shullazin. Ymeri u arrestua pasditen e së martës, ndërsa Emiliano Shullazit iu komunikua masa e re “arrest në burg” në ambientet e 41BIS, ku ai po vuan dënim për një tjetër çështje penale.

Dy ngjarjet kriminale të zbardhura nga SPAK kanë ndodhur shkurtin e vitit 2005. Mbrëmjen e 26 shkurtit Klodian Saliu po udhëtonte në një automjet tip “Mercedes” në aksin Durrës-Maminas, kur nga një automjet në lëvizje u qëllua me breshëri automatike. Saliu u vra, ndërsa u plagos edhe një person tjetër. 24 orë me vonë, biznesmeni Vajdin Lame u vra nga një shpërthimi telekomanduar i një sasie tritoli të vendosur në ashensorin e pallatit të tij pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Përveç tij, i vrarë mbeti edhe Artan Arsi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/12/30/vrasja-e-vajdin-lamajt-dhe-klodian-saliut-apeli-i-spak-le-ne-burg-te-akuzuarit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos