Gjykata Kushtetuese nuk njeh Besnik Muçin si anëtar të saj dhe rishpall vakancën për zëvendësimin e tij. Vendimi vjen pas letrës së Besnik Muçit, i cili i kërkoi Gjykatës të shprehej mbi mandatin e tij. Menjëherë pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta me anë të një dekreti shpalli procedurën e aplikimit për plotësimin e vakancës së parakohshme.
Një ditë më parë, Komisioni i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi Besnik Muçin nga detyra, për mosjustifikim të pasurisë. Pas vendimit, Muçi deklaroi se verdikti i KPA nuk kishte efekt, pasi ai e kishte humbur statusin e prokurorit kur u betua si anëtar i Kushtetueses.
Me këtë bindje ai hyri në zyrën e tij të punës mëngjesin e sotëm, duke iu përcjellë dhe një letër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Muçi thekson se Kushtetuta dhe ligji kërkon që për shkarkimin e tij të shprehet vetë Kushtetuesja.
"Procesi i rivlerësimit tim ka filluar ‘ex officio’ për shkak të funksionit të Prokurorit që unë kam mbajtur. Me përfundimin e këtij statusi objekti për të cilin ka filluar procedura e rivlerësimit apo qëllimi i këtij procesi është bërë i pamundur”, thotë Muçi në letrën e tij.
Megjithatë, kolegët e tij në Gjykatën Kushtetuese vendosën se me vendimin e KPA mbaronte edhe mandati i tij si anëtar i Gjykatës. (A2 Televizion)
