Zbardhet skema e tjetërsimit të pronave shtetërore në Fier, 4 të arrestuar, sekuestrohen mijëra euro dhe municione

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 12:46 | Kronikë

Zbardhet skema e tjetërsimit të pronave shtetërore në Fier,

Një skemë e dyshuar falsifikimi dokumentesh dhe tjetërsimi të pronës shtetërore është zbardhur nga Prokuroria e Fierit. Bëhet fjalë për 44.100 metra katrorë tokë në fshatin Povelçë, e cila dyshohet se është regjistruar në mënyrë të paligjshme në emër të një familjeje dhe më pas është shitur për 88.200 euro.

Në kuadër të hetimeve, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për tre zyrtarë të Kadastrës Fier dhe një notere. Ndërkohë, për një tjetër punonjëse të institucionit është vendosur masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Hetimi nisi pas kallëzimit të një shtetasi, i cili pretendoi se një sipërfaqe toke në fshatin Povelçë ishte kaluar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.

Sipas Prokurorisë, nga hetimet dyshohet se për tjetërsimin e pronës janë përdorur dokumente të falsifikuara, ndër të cilat një certifikatë pronësie, një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike dhe dy prokura noteriale me nënshkrime të dyshuara si të falsifikuara.

Dyshohet se në këtë skemë janë përdorur të dhënat e një prone tjetër me sipërfaqe 4.000 metra katrorë, për të regjistruar 44.100 metra katrorë tokë shtetërore, pa pasur një titull të vlefshëm pronësie.

Dokumentet janë lëshuar më 25 janar 2023, ndërsa vetëm pesë ditë më vonë, më 30 janar, prona është shitur për 88.200 euro, me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik. Sipas hetimeve, shuma është transferuar në llogarinë e përfaqësuesit me prokurë, por nuk u është dorëzuar personave që rezultonin si shitës.

Prokuroria ka evidentuar edhe një tjetër episod të dyshuar, ku pas depozitimit të kallëzimit, përfaqësuesi me prokurë u ka dhënë personave të dëmtuar 15.000 euro në para në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin denoncimin.

Gjatë kontrolleve në banesën e ish-drejtorit të Kadastrës Fier, hetuesit kanë gjetur shtatë zarfe me para, të vendosura në një sirtar të mbyllur me çelës. Në total janë sekuestruar 31.720 euro, 608.000 lekë, 5.000 korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë.

Gjithashtu, në banesë janë gjetur dhe sekuestruar 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë për armë gjahu.

Në hetim janë përfshirë ish-kreu i Njësisë Administrative, ish-drejtori i Kadastrës Fier, një specialist jurist, një notere dhe një specialiste hartografe. Ata dyshohen, sipas rolit të secilit, për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos