
Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për shtyrjen e afatit të paraburgimit për shtetasen ruse, Svetlana Timofeeva.
Ky vendim është kundërshtuar nga avokati i saj Sajmir Vishaj, sipas të cilit, është e papranueshme dhe tërësisht në shkelje ligji që tre shtetas të huaj të mbahen përtej afateve.
“Afati i paraburgimit të Timofevës ka skaduar më 20 shkurt. Kishim bërë kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit, ndërkohë jashtë afateve Prokuroria kërkoi zgjatje afati. Kërkuam përjashtim të gjyqtarit dhe shprehjen e Gjykatës së Apelit përderisa gjyqtar çështje ishte kryetarja e gjykatës. E megjithatë, as kjo nuk u mor parasysh. Është e papranueshme”.
Avokat Sajmir Vishaj
Po kush është “spiunia” ruse, Svetlana Timofeeva?
Svetlana Timofoeva është 33-vjeçarja ruse e cila u raportua nga autoritetet shqiptare si një nga tre personat e arrestuar gushtin e vitit të kaluar, pasi tentuan të hynin në uzinën ushtarake të Gramshit, duke lënduar edhe dy efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Nga një kërkim në rrjet, Svetlana rezulton se prezantohet si fotografe dhe blogere, me pseudonimin Lana Sator. Fotografitë e saj janë publikuar në media të ndryshme ndërkombëtare, si CNN dhe Daily Mail.
Dhjetë vite më parë ajo udhëtonte në Rusi dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, për të fotografuar bazat ushtarake të braktisura. Ndërsa në vitin 2019, fotografitë e realizuara prej saj në Katedralen e Notre Damme në Paris pas djegies u publikuan edhe në CNN.
Timofoeva u arrestua bashkë me rusin 24-vjeçar, Mikhail Zorin, dhe një shtetas me pasaportë ukrainase, të identifikuar si F.A, 25 vjeç. Ky shtetas dyshohet se ka edhe llogarinë në Instagram “cyanidium”, ku janë publikuar foto nga Shqipëria gjatë ditëve të fundit, me makinën Chevrolet me të cilën u arrestua, por edhe nga baza të tjera ushtarake në Shqipëri, ku ai mendohet të jetë futur disa vite më parë. (A2 Televizion)