
Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë Liburn Aliu dhe Labinot Demi Murtezi, dhe duke nënkuptuar lënien jashtë gare të kandidimit për deputetë të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Bajram Mavriqit.
Ankesa e ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së dhe vendimi i KQZ lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinot Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së.
“Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3-vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3-vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës së theksuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3-vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Ndërsa, ankesa e ushtruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme. Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së dhe KQZ lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në që kandidatin për deputet Shemsedin Dreshaj, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.
Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e AAK-së, duke vërtetuar pjesën tjetër të vendimit të PZAP-së.
Ndërsa, ankesa e ushtruar nga subjekti politik, Partia e Ashkalinjëve, për Integrim (PAI), Nova Demokratska Stranka (NDS) dhe e Nismas, është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme. (A2 Televizion)