Gjyqi kundër ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja e parë dëgjohet në një seancë private

Nga A2 CNN
11 Prill 2023, 15:44 | Kosova
Gjyqi kundër ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja

Prokuroria Speciale nisi me thirrjen e dëshmitarëve në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

E para që u thirr për të dëshmuar ishte një grua, por seanca u mbajt në mënyrë private për të mbrojtur identitetin e saj për publikun.

Seanca për çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nisi me pyetjet e prokurorisë për dëshmitaren. Ajo konfirmoi se është intervistuar nga prokurorët specialë edhe në dy raste të tjera në Prishtinë.

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale bëri të ditur se dëshmia e saj do të zgjasë katër ditë. Ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë ngritur 10 akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale nisi gjyqin kundër Thaçit dhe të tjerëve pas më shumë se 2 viteve që ata u mbajtën në paraburgim në Hagë. Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë hedhur poshtë çdo pretendim dhe bashkë me avokatët mbrojtës po tentojnë të provojnë pafajësinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos