
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëron për situatë të rrezikshme në Ballkanin perëndimor, teksa Serbia sipas saj, po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën.
Në një intervistë për britaniken "The Sun", ajo deklaroi se presidenti Aleksander Vuçiç është thellësisht i lidhur me Vladimir Putinin, dhe se synon të marrë territorin e Kosovës, siç bëri Rusia me Krimenë.
Osmani pretendon se Serbia po armatos dhe financon grupe paraushtarake.
"Të gjitha këto tregojnë se është pikërisht i njëjti plan si ai i Putinit për Krimenë. Forcat paraushtarake serbe dhe organizatat kriminale ndihmojnë në shkaktimin e dhunës në veri të Kosovës, me Rusinë që importon armë dhe uniforma ushtarake. Serbia ka mbështetur hapur këto grupe në veri të Kosovës dhe ka kryer krime, duke përfshirë kryerjen e krimeve kundër serbëve që jetojnë neveri.”
Osmani i kërkoi Perëndimit të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan do të destabilizojë më tej një Evropë tashmë të brishtë.
“Ky nuk është një problem i largët. Paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e lidhur me paqen në Londër, në Nju-Jork, në Uashington, në Paris, në Berlin, sepse historia tregon se mungesa e paqes dhe sigurisë në Evropë është mungesë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Dhe kjo mungesë paqeje dhe sigurie në Ballkanin Perëndimor do të thotë se është një Evropë e destabilizuar.”
Osmani u shpreh e zhgënjyer që në planin Europian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk përfshihet njohja reciproke. Sipas saj, kjo është zgjidhja e vetme që mund të garantojë paqe dhe stabilietet afatgjatë. (A2 Televizion)