
Kryeministri i Kosovës këmbëngul se deklarata për të pagjeturit, mbi të cilën pati pajtim mes kryenegociatorëve në takimin e zhvilluar të martën në Bruksel, përfshin termin “të zhdukurit me forcë”.
Kryenegociatori serb, Petar Petkovic, kishte deklaruar më herët se pala serbe nuk e kishte pranuar një term të tillë.
“Formulimi i saktë në anglisht është “forcibly disappeared”, pra do të thotë, ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi, i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra, edhe atëherë kur do të deklarohet do të thuhet personat e pagjetur të zhdukur që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”.
Kurti konfirmoi se takimi i radhës i nivelit të lartë, mes tij dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, do të zhvillohet gjatë muajit prill ne Bruksel. I pyetur mbi çështjen e draft-statutit të asociacionit. Ai deklaroi se fillimisht do të duhet të analizohen rezultatet e takimit të zhvilluar mes kryenegociatëve më 4 prill.
“Ne do të analizojmë më zëvendëskryeministrin rezultatet nga takimi i zhvilluar në Bruksel më 4 prill dhe mandej do të përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill brenda të cilit do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë”, tha Kurti.
Sipas kryenegociatorit Besnik Bislmi, takimi mes Kurtit dhe Vuçiç ishte caktuar fillimisht me 22 prill, por ishte zhvendosur më pas, për shkak të impenjimeve të presidentit serb. Edhe në këtë prononcim publik Kurti refuzoi të komentonte lidhur me gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së duke i thënë gazetarëve se duhet të shkonte në seancën parlamentare. (A2 Televizion)