Gjyqtari i KPA, Daci përballet me katër kallëzuesit e tij të shkarkuar nga vetingu

Nga A2 CNN
29 Tetor 2020, 19:53 | Aktualitet
Gjyqtari i KPA, Daci përballet me katër kallëzuesit e tij të

Ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari e Besnik Cani, ish-anëtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla dhe ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku ishin thirrur nga SPAK për të dëshmuar në procesin ndaj gjyqtarit të Shkallës së dytë të vetingut, Luan Daci.

Ai po gjykohet në Gjykatën e Posaçme për “falsifikim të dokumenteve”. Sipas prokurorisë, teksa ka aplikuar për t'u bërë pjesë e KPA Daci nuk ka treguar një masë disiplinore “shkarkim nga detyra” si gjyqtar në vitin 1997 nga KLD e kohës.

Të shkarkuarit e thirrur si dëshmitarë, janë njëkohësisht edhe kallëzuesit në SPAK të Dacit, i cili ishte anëtar në trupat e KPA që i larguan nga sistemi.

Burime brenda seancës të zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të pandemisë, pohuan se dëshmitarët treguan se si ishin vënë në dijeni në burime mediatike për falsifikimin e pretenduar të Dacit.

Luan Daci është pezulluar nga detyra prej muajit korrik, pasi u dërgua si i pandehur në gjykatë. Seanca e radhës ndaj tij do të zhvillohet më 9 nëntor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos