
Policia italiane parandaloi dërgimin e afro 200 shqiptarëve në mënyrë ilegale nga Shqipëria drejt Europës, pasi Guardia Di Financa e Barit sekuestroi 196 karta identiteti italiane, që po silleshin në vendin tonë me një autobus turistik.
Operacioni më i fundit kundër grupeve kriminale që përmes dokumenteve false dërgojnë emigrantë nga Shqipëria drejt Europës, u zhvillua para 3 ditësh në Durrës. Përpos laboratorit dhe pajisjeve speciale, mes dokumenteve të falsifikuara, u sekuestruan edhe 12 karta identiteti italiane.
Një prej metodave më të njohura të këtyre rrjeteve është ajo e vendosjes së fotografisë së emigrantit tek karta e identitetit të një shtetasi, banor në një prej vendeve të Europës. Këtë e ka pohuar disa herë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në konferencat për shtyp, ku njoftonte shkatërrimin e këtyre grupeve kriminale.
Ndërkaq, në lidhje me sekuestrimin e kartave të identitetit, këtë hënë në Bari, mediat vendase shtojnë se ato ishin vjedhur në vitin 2015 në Piacenza dhe dyshohet se po iu dërgoheshin grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri. Shoferi deklaroi se pakon me këto dokumente e mori prej një shtetas italian, i cili i kishte dhënë 20 euro, për t’ia dorëzuar një shtetasi shqiptar që e priste në port. (A2 Televizion)