Është lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” Alkond Bengasi, një prej të arrestuarve në Elbasan që dyshohen se kanë ndihmuar grabitësit e Rinasit për të modifikuar furgonin me të cilin arritën të futeshin brenda aeroportit.
Burime për A2 CNN konfirmojnë se 34-vjeçari Bengasi ka bashkëpunuar me Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes. Ndërsa tre të arrestuarit e tjerë, Oltion Veseli, 38 vjeç, banues në Krujë, Saimir Çela, 28 vjeç, si dhe Renato Sula 25 vjeç, nuk kanë dalë ende para gjykatës për të marrë masën e sigurisë.
Bengasi ka dhënë detaje dhe emra konkretë të anëtarëve të grupit që përgatitën dhe realizuan grabitjen e 9 prillit, por nuk dihet ende nëse ai do të marrë ose jo statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Alkond Bengasi, akuzohet nga Prokuroria si pjesë e grupit të grabitjes së 5,7 milionë eurove dhe se ka ndihmuar në modifikimin e furgonit që u përdor nga grabitësit. (A2 Televizion)
