6 projektet më të suksesshme nga Shqipëria janë propozuar për financim në thirrjen e parë të Fondit Rajonal të Sfidave, duke akorduar rreth 2,4 milionë euro për investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime pranë instituteve të formimit profesional që zbatojnë trajnime bashkëpunuese.
Fondi Rajonal i Sfidave (RCF) organizoi Ceremoninë Kombëtare të ndarjes së granteve në Shqipëri me qëllim publikimin e rezultateve të thirrjes së parë dhe ndarjen e granteve për konsorciumet fituese. Në thirrjen e parë për shprehje interesi, RCF pranoi 205 aplikime nga konsorciumet e instituteve të formimit profesional dhe ndërmarrjeve nga të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua, ditën e premte, në Hotel Rogner dhe mblodhi zyrtarë nga WB6 CIF, Ambasada Gjermane, KFW, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Komuniteti i Donatorëve, Fondi Rajonal i Sfidave dhe konsorciumet fituese nga Shqipëria, për të shënuar suksesin e tyre.
Vendimi i komisionit përzgjedhës për fondet në dispozicion për thirrjen e parë rezultoi në propozimin e 37 projekteve për financim, duke akorduar rreth 15,4 milionë euro për rajonin. Nga ky numër, 6 projekte janë nga Shqipëria duke akorduar rreth 2.4 milionë euro për investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime në institutet e formimit profesional që zbatojnë trajnime bashkëpunuese. Kjo ndarje e projekteve përfaqëson shkallën më të lartë të suksesit në rajonin WB6.

Znj. Ines Muçostepa, Presidente e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë të Shqipërisë, shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin ekonomik të Ministrisë Federale Gjermane dhe KFW për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti për Shqipërinë. Znj. Muçostepa më tej tha: “Ne kemi besim se bashkëpunimi afatgjatë midis kompanive dhe institucioneve të formimit profesional është një bazë solide për një ekonomi të qëndrueshme dhe më të fortë. Për këtë arsye, e konsiderojmë shumë të rëndësishme përmirësimin e arsimit dual në Shqipëri. Vërtet mund të themi se ia dolëm në thirrjen e parë dhe shpresojmë që në thirrjen e dytë të krijohen më shumë konsorciume VTI dhe do të aplikojnë për të përfituar nga financimi i Fondit Rajonal të Sfidave”.
“Duke përfituar nga kjo ceremoni, më lejoni të shpreh mirënjohjen time për Qeverinë Gjermane, e cila nëpërmjet KFW ka vënë në dispozicion 30.5 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet një instrumenti inovativ që synon rritjen e punësimit të të diplomuarve që kanë marrë kualifikime përmes edukimit profesional dhe trajnimeve”, u shpreh znj. Olta Manjani, Zv. Ministre e Financave dhe Ekonomisë. Ajo tha se vlen të përmendet mundësia unike për ofruesit publikë të AFP-së përmes financimit të Fondit Rajonal të Sfidave, për të rritur dhe intensifikuar bashkëpunimin me komunitetin e biznesit. Gjithashtu, theksoi se ceremonia e sotme është një finalizim i një pune të madhe të realizuar nga Fondit Rajonal i Sfidave dhe konsorciumet.

Znj. Judith Hoffmann, Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane në Shqipëri, uroi konsorciumet fituese në emër të Ambasadës Gjermane dhe ambasadorit gjerman. Zonja Hoffmann shtoi se Fondi Rajonal i Sfidave si një instrument i ri i bashkëpunimit financiar gjerman është krijuar me objektivin për të nxitur punësimin në Ballkanin Perëndimor dhe për të trajtuar problemin e mospërputhjes së aftësive në tregun e punës. Për këtë arsye, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BEZ) ndau përmes KFW 30,5 milionë euro për grantet për rritjen e punësueshmërisë së të diplomuarve. Ajo përfundoi duke thënë: “Ne jemi krenarë që ky instrument i ri ka tërhequr kaq shumë shkolla dhe kompani të interesuara nga vendet e WB6”.
Z. Balsa Culafiç, Koordinator i Programit të WB6 CIF, shprehu mirënjohjen e tij për ceremoninë e parë kombëtare të ndarjes së granteve në Shqipëri. Ai deklaroi se CIF përfaqëson 350,000 kompani, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke hapur mundësi të reja për një komunitet më të fortë të rrjeteve të biznesit në rajon. “Promovimi i punësimit dhe trajnimeve edukuese është bërë një temë gjithnjë e më e rëndësishme për KFW në vitet e fundit dhe ne kemi qenë gjithmonë në kërkim të iniciativave të reja dhe instrumenteve të reja për të promovuar trajnimin dhe zhvillimin e sektorit privat në të njëjtën kohë”, tha znj. Brit Horschke, Drejtore e Zyrës së KFW në Shqipëri. “Ne si KFW jemi gjithashtu shumë të kënaqur që kompanitë e njohin rëndësinë e një fuqie punëtore të trajnuar mirë dhe të kualifikuar si një faktor kyç për suksesin e tyre. Është gjithashtu fantastike të shohësh që kërkesa ishte kaq e lartë për financimin e RCF, dhe veçanërisht këtu në Shqipëri. Dua të përgëzoj edhe një herë të gjithë aktorët e përfshirë, 6 konsorciumet sigurisht, por edhe ekipin e projektit të RCF për këtë thirrje të parë të suksesshme. Gjithashtu, do të doja të inkurajoja të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në thirrjen e radhës”.
Fondi Rajonal i Sfidave është një program inovativ që synon të rrisë produktivitetin dhe konkurrencën e bizneseve në Ballkanin Perëndimor. RCF është autorizuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim pranë Bankës së Zhvillimit, KFW dhe implementuar nga Dhoma e Ballkanit Perëndimor 6 Forumi i Investimeve (WB6-CIF), një iniciativë e përbashkët e dhomave të tregtisë nga rajoni. (A2 Televizion)