
Ndoshta vetëm në vendin tonë mund të ndodhë që punonjësit të detyrohen të futen në grevë urie për të marrë pagat e tyre.
Punonjësit e nënstacionit elektrik dhe të pompimit në Poçem kanë hyrë në ditën e 7 të grevës së urisë, pasi nuk u janë dhënë 27 paga. Tashmë, në gjendje të rënduar shëndetësore, disa prej tyre nuk ngurrojnë të mendojnë edhe flijimin për të siguruar bukën e gojës që u është mohuar.
E njëjtë është situata edhe me naftëtarët e Ballshit, të cilët kanë hyrë në ditën e tretë të grevës së tyre të urisë. Edhe ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe rikthimin në punë të punonjësve të rafinerisë së përpunimit të naftës.
Edhe në këtë ambient, gjendja është mjaft e rënduar dhe disa prej grevistëve kanë refuzuar të marrin ujë dhe ndihmë shëndetësore.
Edhe pse dhjetra persona prej ditësh kanë hyrë në grevë urie në Poçem dhe Ballsh, asnjë përfaqësues i institucioneve shtetërore me përjashtim të Avokatit të Popullit, nuk është interesuar për ta. (A2 Televizion)