Çështja kundër ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është përqendruar në një pagesë të bërë për yllin e pornografisë, Stormy Daniels, për të blerë heshtjen e saj, por prokuroria gjatë akuzës ka përmendur edhe një grua tjetër.
Sipas dokumenteve të bëra publike, një tjetër pagesë është bërë në emër të Donald Trump për "Woman 1", për të cilën të dhënat sugjerojnë se bëhet fjalë për Karen McDougal.
McDougal është po ashtu një ish-modele e Playboy, e cila njësoj si Stormy Daniels, pretendon se kishte një lidhje me Trump. Ajo deklaron se lidhja mes tyre zgjati 10 muaj, por ish-presidenti e ka mohuar ketë gjë.






E lindur në Indiana, përpara se të transferohej në Michigan, Karen McDougal filloi fillimisht të modelonte në pasarelat e rrobave të banjës.
Ajo iu bashkua Playboy dhe më vonë punoi si modele fitnesi, duke u bërë gruaja e parë që u shfaq në kopertinën e revistës Men's Fitness në 1999.
Në vitin 2006, revista “New Yorker” raportoi se zonja McDougal pretendonte se u takua me Trump në rezidencën “Playboy” në Los Anxhelos, ku ai po regjistronte një episod të “The Apprentice”.
Modelja do të deklaronte se ajo dhe manjati kishin një lidhje 10-mujore dhe takoheshin të paktën pesë herë në muaj, në një marrëdhënie që e cilësonte si të dashur dhe konsensuale.
Në vitin 2016, në prag të zgjedhjeve presidenciale, McDougal nënshkroi një marrëveshje me vlerë 150,000 dollarë për të treguar historinë e saj ekskluzivisht për gazetën tabloid, “National Enquirer”.
Megjithatë, artikulli nuk u publikua kurrë dhe zonja McDougal këmbëngul se u mashtrua për të heshtur për marrëdhënien.
Në vitin 2021, Komisioni Federal i Zgjedhjeve i SHBA-së, i cili është përgjegjës për zbatimin e ligjit për financimin e fushatës, zbuloi se botuesi i Enquirer kishte shkelur ligjet zgjedhore duke paguar për të drejtat e historisë së Karen McDougal për të mos e publikuar kurrë atë. (A2 Televizion)