
Një grup këshillimor i qeverisë amerikane rekomandoi të enjten miratimin për përdorimin urgjent të vaksinës për koronavirusin të prodhuar nga gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer, në bashkëpunim me kompaninë gjermane BioNTech.
Zëri i Amerikës raporton se ky është një hap madhor në drejtim të një fushate të jashtëzakonshme vaksinimi që më në fund mund ta vërë nën kontroll epideminë.
Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) pritet të ndjekë rekomandimin e bërë të enjten nga një grup i posaçëm ekspertësh të saj të jashtëm, i cili me 17 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, arriti në përfundimin se vaksina duket e sigurt dhe efektive kundër koronavirusit te njerëzit 16 vjeç e lart.
Por, një vendim përfundimtar i FDA-së pritet brenda ditësh, ndoshta që të premten ose të shtunën. Miliona doza do të transportohen për të filluar vaksinimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe azileve të të moshuarve.
Përparësi do të kenë edhe punonjësit shëndetësor të ushtrisë amerikane të cilët do të kenë në dispozicion pak më pak se 44 000 doza. Një zëdhënës i Pentagonit u tha gazetarëve se ushtria do ta nisë vaksinimin "brenda një ose dy ditësh" nga momenti që FDA-ja do të japë miratimin për përdorimin në raste urgjente të vaksinës. Fillimisht, vaksinimet do të kryhen mbi baza vullnetare, por mund të bëhen të detyrueshme pasi vaksina të licencohet plotësisht.
Qasja për publikun e gjerë nuk pritet deri në pranverë.
Ky lajm vjen ndërsa numri i të prekurve në të gjithë vendin llogaritet mbi 15.3 milionë që prej fillimit të pandemisë.
Takimi i së enjtes u mbajt një ditë pasi Shtetet e Bashkuara regjistruan më shumë se 3000 vdekje si pasojë e COVID-19, shifra më e lartë ditore që prej fillimit të pandemisë.
Kompanitë Pfizer dhe BioNTech u vunë në krye të përpjekjeve globale për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit. Britania u bë vendi i parë perëndimor që nisi vaksinimet masive të martën, vetëm disa ditë pasi agjencia rregullatore qeveritare për shëndetin publik miratoi vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNTech. (A2 Televizion)