
Enkelejd Alibeaj deklaroi se grupi parlamentar i PD-së nuk do të mbështesë dy nismat e qeverisë për amnistinë fiskale dhe pasaportën e artë. Në një deklaratë pas mbledhjes së grupit, ai u shpreh gjithashtu se do të thërras strukturat e partisë që mbështesin linjën e tij dhe se opozita duhet të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhje.
“Është e papranueshme për ne amnistia fiskale, ky është qëndrimi ynë i unifikuar. Po ashtu të njëjtin qëndrim kemi për pasaportat e arta, kjo është shitja e nënshtetësisë shqiptare,” tha Alibeaj.
I pyetur nëse i njeh primarët që bën Berisha, Alibeaj tha se “PD ka strukturat e saj, modusin e saj të përcaktuar në statut e rregullore”. Ai theksoi se armiku kryesor i demokratëve shqiptarë është Edi Rama, ndaj shtoi se shqiptarët e ndershëm, janë ato që do t’i japin përgjigjen e fundit qeverisë së tij.
“Të gjithë strukturat e PD të bëhemi gati për atë që është misioni kryesor; përballja në zgjedhje. Armiku kryesor i demokratëve është Edi Rama dhe regjimi, që ai nga ngritur. Si mundet Edi Rama? Me gjithë shqiptarët e ndershëm, të punës të cilëve u është rënë në qafë, zëri i të cilëve asnjëherë nuk ka kumbuar”, theksoi ai. (A2 Televizion)