
Edi Rama i kërkoi deputetëve të tij t’i japin mbështetjen Bajram Begajt si kandidatura më e mirë për t’u bërë President i Republikës. Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së u dominua nga fjala e kryeministrit i cili nuk I kurseu edhe ironitë me të tijtë që kishin futur në zarf emrin e vet për t’u bërë President.
“Falënderoj çdo deputet dhe deputete. Më vjen keq për çdo deputet që nuk u përfshi në këtë proces duke menduar që zarfat janë punë për mosha të reja. Njëri drejtim ishte drejtimi i të vetë propozuarve këtu në grup që u përjashtua menjëherë. Nuk jemi thjesht të PS dhe vetvetes në këtë rast”, u shpreh Rama.
Të 74 parlamentarët socialistë pritet të japin mbështetjen me votë për Begajn, por përpara zgjedhjes, ai duhet të kalojë edhe një hallkë tjetër proceduriale. Ironi e fatit është se Begaj për t’u bërë President, duhet të marrë firmën e Ilir Metës. Ligji për Forcat e Armatosura sanksionon se ushtarakët aktivë duhet të dalin në lirim përpara se sa të zgjidhen apo emërohen në poste të tjera, ku socialistët duket se e kishin menduar edhe këtë fakt.
“Kjo nuk do të jetë një betejë e radhës me Presidentin aktual. Megjithatë me kryetarin e Komisionit të Ligjeve kemi menduar zgjidhjen nëse larg qoftë na krijohet ndonjë ngërç me Presidentin Republikës”, tha Balla.
Vetë Presidenti Meta ndodhet në një vizitë zyrtare në Stamboll dhe vendimi për Begajn duhet të merret përpara seancës së orës 18:00 kur është parashikuar edhe votimit. (A2 Televizion)