
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha në “Intervistë” me Merita Haklaj se ka kundërshtime me mënyrën sesi funksionon grupi parlamentar i mazhorancës. “Jepi liri njerëzve dhe do jesh vetë i fortë. Jo vetëm janë më kreativë, por janë vetvetja. Një njeri që vihet në rresht dhe i thuhet “ti je ushtar” natyrisht që nuk është vetvetja. Unë e urrej të jem ushtar, jo se nuk e bëj dot luftëtarin, por luftëtari nga ushtari ka diferencë shumë të madhe. Luftëtari ka edhe lirinë brenda. Mendoj që ai grup parlamentar do të jetë i fortë kur liria të funksionojë”, tha Braçe.
Sipas tij, nuk është faj të kritikosh brenda grupit parlamentar. “Si mund të stimulohet një qeveri për të bërë më mirë nëse nuk funksionon kritika?”, shtoi ai.
I pyetur si shihet ky qëndrim i tij brenda grupit, Braçe u përgjigj: “Ka të tjerë që thonë “shumë mirë që fole ti”. Ka të tjerë që shikojnë me habi. Ka të tjerë që thonë “ashtu mendoj edhe unë”. Kaq nuk mjafton, duhet krijuar ambienti që gjithsecili të thotë atë që mendon. U bëmë që nga tërmeti e me radhë që po kalojmë nga një situatë e vështirë në tjetrën. Në situata të tilla vlen shumë mendimi, kritika, mbështetja e gjithsecilit, Nëse ka njerëz që nuk e duan mbështetjen time, nuk më cenon fare mua. Ama nuk lejoj që të më ndalosh të them atë që mendoj”. (A2 Televizion)