“Populli e ka marrë vendimin”, Meta fton qytetarët në protestë: Rama duhet të japë llogari

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2023, 15:29 | Politikë
“Populli e ka marrë vendimin”, Meta fton qytetarët në

Pas Sali Berishës, edhe Ilir Meta i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohet protestës së opozitës. Kreu i Partisë së Lirisë tha se Kryeministri nuk mund t’i shmanget llogaridhënies para qytetarëve edhe pse Edi Rama ka evituar të përballet në Kuvend me opozitën.

“Populli i Shqipërisë jam i bindur se e ka marrë vendimin. Ai s'mund të lejojë kurrë që Edi Rama të vazhdojë të trajtojë zyrën e kryeministrit si një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve”.

Për Ilir Metën lidhjet mes Ramës dhe ish-agjentit të FBI janë të faktuara, ndaj kërkoi edhe një herë dorëheqjen e kreut të qeverisë, pasi siç tha këtë ka vendosur dhe populli.

Fshehja e dëshperuar e Edi Ramës me javë të tëra dhe shmangja e llogaridhënies dhe transparencës përpara parlamentit me shpresën e mjerë se mund të kalojë situatën janë thjesht një iluzion i një të mbyturi që kapet pas fijes së barit.

Populli është vetëm ai që jep pushtet por edhe ja heq pushtetin atij, që e përdor vetëm për të grabitur paratë e popullit dhe për të shitur interesat e tij.

Populli i Shqipërisë jam i bindur se e ka marrë vendimin.

Ai s'mund të lejojë kurrë që Edi Rama të vazhdojë të trajtojë zyrën e kryeministrit si një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve.

Populli s'mund të lejojë kurrë që zyra e kryeministrit të përdoret për korrupsion politik dhe financiar pa fre, në vend që duhet t’i jepte zgjidhje shqiptarëve për të luftuar varfërinë dhe papunësinë.

Populli s'mund të lejojë kurrë që zyra e kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim, që shpopullon vendin duke larguar qindra mijëra shqiptarë dhe veçanërisht të rinjtë nga atdheu i tyre.

Populli ka vendosur që Edi Rama të largohet një orë e më parë si një mafioz tashmë i provuar edhe botërisht me fakte dhe si një i korruptuar që s'ka asnjë lidhje me postin dhe institucionin kushtetues të kryeministrit.

Edi Rama është tashmë vetëm një subjekt i merituar për drejtësinë për veprimet e tij shumë të rënda kundër kushtetutës, pluralizmit dhe demokracisë si dhe për grabitjen masive financiare me miliarda euro.

Edi Rama është sot i provuar me fakte si korruptuesi i Mc Gonigal, si grabitësi i qindra milionë euro me inceneratorët, i miliarda eurove tek Porti i Durrësit, tek koncesionet, tek qindra tenderat sekretë, si shkatërruesi i Teatrit dhe si koka e qindra aferave me energjinë elektrike, ujësjellësit, tjetërsimin e pronave të qytetarëve shqiptarë dhe gjithçka.

Edi Rama është sot shkaku kryesor i mjerimit të shumëanshëm të shqiptarëve të ndershem dhe punëtorë.

Edi Rama është përgjegjësi kryesor për shpopullimin e Shqipërisë por dhe njëkohësisht për mbipopullimin e burgjeve të Shqipërisë.

Shqipëria dhe populli shqiptar janë këtu në mijëra vjet dhe këtu do të jenë në jetë të jetës dhe nuk do të lejojnë kurrë që një gjakprishur antishqiptar të tronditë ekzistencën e tyre.

Ndaj 11 shkurti do të jetë dita e vendimit mbarëpopullor për rivendosjen e llogaridhënies së rreptë dhe pa kompromis që vendos Shqipërinë dhe shqiptarët të parë përgjithmonë.

Nesër Shqipëria dhe shqiptarët vendosin dinjitetin e tyre në vend, dinjitet që nuk do të guxojë kush t’ua shkelë e nëpërkëmbë më, në të ardhmen.

Nesër populli flet dhe të gjithë duhet të dëgjojnë e ti binden vullnetit të tij.

Protesta e së shtunës është thirrur nga Partia Demokratike dhe mbështetet nga forcat e tjera opozitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos