
Kristaq Kume parashikon se në zgjedhjet e pjesshme lokale që mund të mbahen në vend së shpejti, dy grupimet brenda PD do të synojnë se kush do të marrë më shumë vota mes tyre për t’i treguar njëra-tjetrës se cila është mazhorancë.
Sipas tij, përballë Partisë Socialiste, dy grupimet e PD, në situatën që ndodhen sot, e kanë të pamunduar të fitojnë një mandat kryebashkiaku, madje edhe në Shkodër, që njihet si bastjon i djathtë.
“Mazhoranca e ka deklaruar se është shumë e gatshme të hyjë në zgjedhje të pjesshme dhe janë dhe entuziastë dhe për rezultatin. Gjasat janë që objektivi që ka çdo subjekt në garë dhe në këtë rast PS, ta realizojë dhe në ato bashki që është shumë e vështirë si ajo e Shkodrës. Dy grupimet në PD do kenë objekt të marrin vota të qytetarëve dhe jo bashki. Të dyja thonë se janë mazhorancë brenda subjektit. Kjo do të jetë një ndër gjërat ku do të kërkohen argumentet. Përqendrimi i dy grupeve do të jenë të marrin sa më shumë vota. Përballë PS për mandat e kanë të vështirë”, u shpreh Kume. (A2 Televizion)