Grushtet e tij “mburojë” kundër ultrasve të Alkmar, tifozit “hero” të West Ham i thurin këngë

Nga A2 CNN
22 Maj 2023, 12:08 | Futboll

Grushtet e tij ishin “mburoja” që në Alkmar frenoi ultrasit holandez të godisnin tifozët miq të West Ham, pasi skuadra londineze doli triumfuese nga gjysmëfinalja e Conference League, duke arritur në finalen e Budapestit ku do të përballet me italianët e Romës.

Pas kthimit në Angli, heroi Chis Knoll, i njohur edhe si "Knollsy", është kthyer në një personazh jo vetëm në faqet e para të tabloideve, por edhe në radhët e tifozerisë së klubit, ku besnikët i kanë dedikuar edhe një këngë.

58-vjeçari u lavdërua gjerësisht që e vuri veten në rrezik për të ndihmuar në mbrojtjen e familjeve të lojtarëve të klubit pas fitores së të enjtes në Ligën e Konferencës së Evropës ndaj “AZ Alkmaar”.

Mbështetësi, i cili u quajt "Engjëlli i Alkmaar", mori një ovacion të fortë nga stadiumi, teksa ndoqi fitoren 3-1 të “Hammers” ndaj Leeds të dielën, ndërsa fotografët fokusuan syrin e tij të ënjtur dhe të nxirë.

Ndërkohë në rrjet po qarkullon një video e re në të cilën Knoll shfaqet emocional teksa tifozët e West Ham brohorasin emrin e tij jashtë pub-it “Carpenters Arms”, vetëm pak metër larg nga stadiumi i Londrës.

Fansat dëgjohen teksa këndojnë: "Knollsy është gjigand kudo që shkojmë" – ndërsa Knoll në një moment duket që përpiqet të mbajë lotët.

Një mbështetës shihet duke e përqafuar 58-vjeçarin, ndërsa të tjerët përpiqen të flasin me të dhe madje një bie në gjunjë për të përshëndetur Knoll, i cili tashmë ka marrë titullin “hero” mes tifozëve të klubit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos