
Në ditën e katërt të qëndrimit në Spitalin e Traumës, dhoma e Gert Shehut, 31-vjeçarit që qëlloi me grusht kreun e Partisë Demokratike në protestën e 6 dhjetorit, u kthye për pak minuta në një sallë gjyqi.
Gjykata e Tiranës e zhvilloi në spital seancën e caktimit të masës së sigurisë ndaj tij, për shkak të pamundësisë së lëvizjes së Shehut, nga dëmtimet e pësuara pas ngjarjes.
Me kërkesë të prokurorisë, gjyqtari Besnik Hoxha caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 31 vjeçarit për akuzat e “goditje për shkak të detyrës” dhe “plagosje me dashje”.
“Ne nuk ishim dakord me këtë masë. Kërkuam arrest shtëpie, ose shtrim në një spital psikiatrik”.
31-vjeçari Shehu nuk ka dhënë deklarime në seancë, ndërsa ende nuk i është nënshtruar një akt-ekspertimi psikik.
Sipas avokatit, i dyshuari nuk ka një shpjegim se përse e ndërmori sulmin fizik ndaj Sali Berishës.
Nga momenti i arrestimit e deri në caktimin e masës së sigurisë grupi i hetimit nuk ka mundur të marrë një deklarim të hollësishëm nga Shehu.
Në disa tentativa marrjesh në pyetje ai ka pohuar të dhëna kontradiktore, si dhe ka shfaqur mendime konfuze. (A2 Televizion)