
Situata që po kalon Milani është ndër më të vështirat në histori të kuqezinjve, të mbushur me suksese të shumta e trofe kombëtarë e ndërkombëtarë.
Transferimi i klubit nga duart e Yonghong Li te fondi Elliot u fol se do të sillte ndryshime të mëdha, por deri tani kjo gjë nuk është parë akoma. Megjithatë, “Mundo Deportivo” ka shkruar së fundmi se planet e Milanit janë jashtëzakonisht ambicioze për të ardhmen.
Qëllimi do të jetë kthimi i Milanit në nivele të larta, duke filluar nga sezoni i ardhshëm dhe për ta bërë këtë do të kërkohet jo vetëm një grup lojtarësh të rëndësishëm, por edhe një trajner i niveleve të larta e për këtë “Mundo Deportivo” ka edhe një emër. Ai është Pep Guardiola!
Për momentin duket një lëvizje e pamundur, por në të ardhmen mund të bëhet realitet. Guardiola ka një kontratë me Manchester City-n deri në vitin 2021 dhe më pas do të kërkojë për një aventurë të re. Si alternativë e spanjollit shihet Andriy Shevchenko, i cili është duke bërë një punë të shkëlqyer te Ukraina.
Po sipas gazetës spanjolle, te Milani mund të ketë edhe një revolucion nga ana e drejtimit teknik. Mes kandidatëve është edhe Marc Overmars, drejtori aktual sportiv i Ajax. (A2 Televizion)