
Korab Lita, nga grupi parlamentar demokrat, ishte i ftuar në Dita Jonë, ku foli për tryezën e përbashkët për reformën zgjedhore, ku e pranishme është edhe Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat.
Lita u shpreh se Rudina Hajdari është vënë përballë kastës së vjetër të politikës, e cila sipas tij, ka për qëllim bllokimin e votës së lirë.
“Këshilli politik u përshëndet nga i gjithë grupi parlamentar demokrat dhe në kontekstin e gjërave që shkojnë mirë, marrëveshjet janë të mirëpritura. Problemi është se në Shqipëri duhet të mbyllet ajo tradita e marrëveshjeve nga personat të cilët vetë i krijojnë krizat politike dhe në mënyrë të papritur arrijnë marrëveshje. Kjo quhet pazar. Ndërsa Rudina Hajdari është njoftuar vetëm gjysmë ore më parë. Kjo u duk një marrëveshje pa kokë, duket që në përbërje. Problemi është se ne u lajmëruam vetëm gjysmë ore më herët. Zonja Hajdari u tregua shumë luajale dhe nuk e firmosi atë marrëveshje. Ajo erdhi në grup, konsultua me ne dhe më pas shkoi si pjesë përbërëse e marrëveshjes.
Unë kam theksuar në Kuvend, se zonja Hajdari gjendet përballë kastës së vjetër politike, e cila ka mision moslënien e shqiptarëve të votojnë të lirë, bllokimin e votës së lirë, siç po e bëjnë që nga viti 2008”, tha Lita. Deputeti i theksoi se synimi i grupit parlamentar demokrat është ndryshimi i sistemit zgjedhor. “Targeti jonë politik është ndryshimi i sistemit zgjedhor, i cili sipas nesh, është gjëja e parë që duhet të bëhet sa i përket reformës zgjedhore”, tha Lita. (A2 Televizion)