
Qeveria kërkon të ndajë bizneset e ndershme nga ato kriminale, duke nisur një proces verifikimi të aseteve të të dënuarve për krim të organizuar. Kjo është një nga pikat e planit të kryeministrit Rama për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend, të prezantuar gjatë Forumit Ekonomik të Tiranës.
“Duam të ndajmë në një mënyrë shumë të qartë bizneset legjitime nga ato jo legjitime. Që do të thotë se nga njëra anë do të bëjmë maksimumin që të sigurohemi që çdo biznes i ndershëm të ketë një klimë më të mirë, të ketë një trajtim më të mirë dhe të ketë më shumë kapacitete për të planifikuar për të ardhmen pa u përballur me faktorë dëmtues, si nga administrata, por edhe nga faktorët më dëmtues: krimi i organizuar dhe zhvatja. Ndaj do të hidhemi në ofensive ndaj krimit të organizuar, duke kërkuar nga çdo person i dënuar dhe akuzuar për krim të organizuar deri tani, të vërtetojnë që asetet në pronësinë e tij vijnë nga biznese legjitime, përndryshe çdo aset do të sekuestrohet”, deklaroi Rama.
Kryeministri prezantoi një tjetër risi gjatë këtij takimi, atë të implementimit të një sistemi gjurmimi për produktet.
“Do të vendosim një sistem gjurmimi, duke nisur nga produktet e akcizës dhe duke vijuar me ushqimet, ujin e pijshëm dhe ilaçet. Kjo do të thotë se çdo produkt që do të hyjë në treg do të ndiqet dhe gjurmohet. Çdo pikë karburanti që del nga rrjeti i shpërndarjes dhe blihet nga qytetarët do të gjurmohet, çdo tabletë medikamentesh apo çdo produkt që shitet në supermarkete dhe dyqane do të ndiqet. Mund ta imagjinoni se sa ndryshime do të sjellë, duke përfshirë edhe të ardhurat”, u shpreh kryeministri. Hapat e tjerë për përmirësimin e klimës së biznesit do të mbështeten në vijimin e reformës së deregulimit, ku synohet që 95% e dokumenteve të mund të aksesohen online brenda vitit. Fiskalizimi, që pritet të nisë nga 1 Shtatori, sipas kryeministrit do të ndihmojë në uljen e informalitetit dhe rritjen e konkurrencës; ndërsa pikë kyçe është edhe bashkëpunimi rajonal”, shtoi kryeministri. (A2 Televizion)