Hajdutët zgjedhin shtëpinë e gabuar, përballen me mjeshtrin e arteve marciale

Nga A2 CNN
3 Shtator 2019, 21:04 | Bota
Hajdutët zgjedhin shtëpinë e gabuar, përballen me mjeshtrin

Në mes të natës, dy hajdutë u futën për të vjedhur një shtëpi në Bolonjë, por këtë herë objektivi i tyre ishte i gabuar pasi u përballën me një mjeshtër të arteve marciale.

Andrea Bonfatti dëgjoi zhurma të çuditshme në shtëpinë e tij dhe u detyrua të ngrihej menjëherë nga krevati në mes të natës, ndërsa më pas gjen dy hajdutët në aksion.

“Njëri prej tyre u largua sapo më pa, ndërsa tjetri tentoi të më sulmonte, por unë u përpoqa të mbroja veten”, ka treguar Bonfatti për mediat italiane.

Profesori i “ju jitsu” u detyrua të merrte edhe një shpatë prej druri, të cilën e përdorte në palestër. Ai thotë se e ka goditur në këmbë dhe në krah hajdutin para se ai të largohej. “Unë mora shpatën pasi isha i frikësuar se ata mund të ishin të armatosur”.

Bonfatti shkoi menjëherë në polici dhe denoncoi rastin. Pavarësisht se ai ia doli të shmangte vjedhjen, tregon se ka mbetur i tronditur nga ngjarja. “Të jesh para hajdutëve është e paimagjinueshme. Është e vështirë ta përshkruash frikën që ndjen. Ata mund të jenë të armatosur, është e tmerrshme”, ka thënë ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos