“Hajnia u bë bashkë me tradhtinë”, Nishani: Nuk mund të pranojmë rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2021, 17:06 | Politikë
“Hajnia u bë bashkë me tradhtinë”, Nishani: Nuk mund

Ish-presidenti Bujar Nishani sulmoi nga podiumi i protestës qeverinë për aferën e inceneratorëve që sipas tij bashkoi hajninë me tradhtinë.

Nishani u shpreh se në asnjë vend nuk ka ndodhur që një kompani të krijohet, regjistrohet dhe të fitojë tenderin për inceneratorët brenda një dite.

“Sot është një mbrëmje e veçantë në historinë e demokracisë. Një moment kritik dhe kthese për historinë e Shqipërisë. Sot e kemi mbushur me mijëra këtë shesh. Pranisë tuaj i bashkohen dhe qindra mijëra patriot anembanë globit. Ju iu ka bashkuar një mision i madh dhe fisnik, i vështirë por i thjeshtë për ta marrë përsipër: dalja zot për vendin tuaj. Ju u ka bashkuar misioni për të luftuar hajninë dhe tradhtinë. Prej 8 vitesh një qeverisje e mbrapsht nuk ka punuar asnjë sekondë për këtë vend, familjet tuaja, por vetëm për xhepin e saj dhe armiqtë e Shqipërisë. Prej 8 vitesh hajdutëria, skandalet na kanë imponuar që t’i kthejmë në jetën tonë të përditshme dhe së fundmi duke vënë në gjumë dhe opozitën. Afera e inceneratorëve, një pjesë e vogël e hajdutërisë së kësaj qeverie. Kush mund ta imagjinojë që mund të ndodhin vjedhje të tilla në sytë e ligjit, institucioneve dhe askush nuk përgjigjet. A mund të ndodhë që në një ditë të themelohet kompania, të regjistrohet, të fitojë tenderin dhe të marrë paratë. Ku e gjen kurajën hajnia. Hajnia nuk ka frikë ndaj ligjit ajo është motër e vëlla me tradhtinë”, u shpreh Bujar Nishani.

Më tej, ish-kreu i shtetit shtoi se në protestën e sotme kundërshtohen dhe padrejtësitë që po i bëhen kombit shqiptar me “Ballkanin e Hapur”.

Për Nishanin nuk duhet lejuar që hegjemonia serbe të rikthehet sërish në rajon.

“Ne protestojmë kundër padrejtësive që i bëhen kombi shqiptar, jo vetëm ekzistencës, por dhe prosperitetit. Ne kurrë nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit, por promotorë të tij. Nuk mund të pranojmë rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon që i ka kushtuar shumë paqes dhe rajonit. “Ballkani i Hapur” është projekti më i mbrapsht antieuropian dhe antiperëndimor”, deklaroi ish-presidenti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos