
Ka nisur protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër Ballkanit të Hapur dhe veçanërisht presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Qindra mbështetës të Berishës ishin mbledhur në selinë e Partisë Demokratike, ku mbërriti edhe lideri historik i kësaj force politike.
Më pas nisi marshimi nga selia e PD drejt godinës së kryeministrisë, ku ishin mbledhur edhe disa persona të tjerë. Sipas agjendës së paracaktuar, në protestë do të flasin disa personalitete, si Aldo Bumçi, Albana Vokshi, ish-presidenti Bujar Nishani, Belind Këlliçi, Edit Harxhi, Ylli Manjani dhe në fund zoti Berisha.
Protestën e sotme Berisha e paralajmëroi në kuvendin kombëtar të PD, më 11 dhjetor, ndërsa gjithmonë është shprehur kundër kësaj nisme. Madje Berisha pretendon se qëndrimi i tij kundër Ballkanit të Hapur dhe ndryshimeve të kufijve të Kosovës, është bërë shkas edhe për shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më herët gjatë ditës, Berisha renditi në një status në Facebook, 4 arsye pse duhet protestuar kundër Ballkanit të Hapur.
“1. Vuçiç është ministër i Milloshevicit. Ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij!
2. Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe andaj nuk duhet lejuar assesi që të konkretizohet!
3. Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiçit, andaj duhet ta ndalim para se të bëhet vonë.
4. Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiç është nga përgjegjësit kryesorë. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”.
Forca të shumta policie janë parë rreth godinës së kryeministrisë, për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, duke pozicionuar edhe autobotë me ujë. Lulzim Basha nuk do të jetë i pranishëm në këtë protestë, edhe pse publikisht ka mbajtur të njëjtin qëndrim sa i përket Ballkanit të Hapur.
Ndërkohë, rrugët e qendrës së qytetit janë mbushur me flamuj shqiptare, serbë e të Maqedonisë së Veriut, në respekt të tre shteteve pjesëmarrëse në këtë nismë. Tre shtetet nismëtare të projektit kanë marrë deri tani refuzimin e përfshirjes nga tre shtetet e tjera që përbëjnë Ballkanin Perëndimor, Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Përmes një letre të hapur, Rama, Vuçiç dhe Zaev u bënë thirrje shteteve fqinje që t’i bashkohen nismës në të mirë të qytetarëve të tyre, si dhe hodhën dyshime se Europa nuk e ka mendjen te rajoni ynë, çka e bën edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin. (A2 Televizion)