Halimi: Qeveria ka kapur të gjitha institucionet, opozitës i janë hequr të gjitha mekanizmat  

Nga A2 CNN
22 Prill 2022, 21:53 | Politikë
Halimi: Qeveria ka kapur të gjitha institucionet, opozitës i janë

“Projekti kushtetues ishte shpresëdhënës që drejtësia do të ishte më e pavarur, por ligjet miratuara më pas deformuan konceptin kushtetues dhe shkuan drejt kapjes së sistemit të drejtësisë”. Kështu u shpreh në Intervistën me Merita Haklajn avokati Eduard Halimi. Sipas tij zgjatja e organeve të vetingut dhe mungesa e institucioneve të drejtësisë çuan në kapjen e drejtësisë, gjë e cila u paralajmërua edhe nga Komisioni i Venecias, i cili theksoi Halimi nuk ia sugjeron askujt modelin shqiptar të kësaj reforme.

“Projekti kushtetues ishte shpresëdhënës që drejtësia do të ishte më e pavarur, se nuk kishim ndikimin e ministrit, presidentit, kryeministrit. Përzgjedhja do të kalonte përmes balancimeve të pushtetit. Ligjet e miratuara më pas deformuan konceptin kushtetues dhe shkuan drejt kapjes së sistemit të drejtësisë. Zgjatja e jashtëzakonshme e vetingut do të sillte ndikim të qeverisë në një proces selektiv. Ky proces po zgjati do të çonte në kapjen politike të atij që do të kishte pushtetin. Venecia paralajmëroi që po pati vonesa do të kapet drejtësia. Mungesa e gjatë e institucioneve të drejtësisë që e bënte qeverinë komode”.

Dhe për ta vërtetuar qëndrimin e tij, ish-deputeti demokrat thekson se mjafton të shihet SPAK i cili është nën kontrollin e plotë të qeverisë. Ai sjell shembullin e Rumanisë ku funksionin sistemi ligjor dhe frika nga ligji.

“Doni të shihni si është situata në drejtësi, shikoni SPAK, shikoni patronazhistët. Cili ishte qëndrimi gjatë zgjedhjeve? Isha në Rumani në 2018 për të nënshkruar një kontratë për energjinë, kolegët e mi rumunë refuzonin që të bëheshin pjesë dhe të nënshkruanin si avokatë. Nuk pranonin, këtu drejtësia funksionon në këtë mënyrë. Që nëse ka dyshime për korrupsion verifikohen në bllok dhe arrestohen. Ishte krijuar klima se funksionon sistemi ligjor. Frika nga ligji.  Pavarësia dhe jetëgjatësia në detyrë, ndërsa prokurorët e SPAK në Shqipëri janë me mandat. SPAK-u është nën kontrollin e qeverisë”.

Për të treguar kapjen e drejtësisë, Halimi sjell në vëmendje edhe dosjet në Gjykatën e Lartë ku vetëm 5 prej tyre gjykohen në prani të palëve dhe nga këto 4 i fiton shteti dhe një individi. Por Halimi thekson se edhe ato që gjykohen në dhomë këshillimi 85% fitohen nga shteti.

“Janë 35 mijë dosje në Gjykatën e Lartë. Marrim shembullin e kolegjit Administrativ në gjykatën e lartë. Vetëm në 100 ditë të viti 2022 janë 275 çështje, vetëm 5 prej tyre janë gjykuar në prani të palëve, 270 të tjerat në dhomë këshillimi dhe vendosin vetë. Pra 2% në prani të palëve dhe nga 5 çështje një e ka fituar individi 4 shteti. Nga këto në dhomë këshillimi 85% i fiton shteti dhe 15% biznesi”.

I pyetur për hartën gjyqësore ai këshillon se duhet të bëhet një rishikim i saj, ndërsa përmend kriteret që çedojnë në të.

“Harta gjyqësore duhet të bëhet një herë në 5 vjet. Duke ia hequr qeverisjen e gjyqësorit dhe duek ia besuar KLGJ duhet të bënte rishikim të hartës gjyqësore. Të rritet aksesi i individit në drejtësi dhe efiçencë të gjyqësorit. Të dyja këto kritere çedojnë. Mungon një studim fizibiliteti që të masë në mënyrë konkrete se sa do i kushtojë një qytetari nga Saranda për të ardhur në Tiranë apo kosto e drejtorisë së burgjeve për të transferuar një të burgosur për të ardhur në apel. A do të përballohen kostot? Këto përgjigje janë zero se nuk e kanë bërë një analizë të tillë. Nëse do të marrim një shembull sesi nuk duhet bërë është Gjykata e Apelit Administrativ që nuk funksionon. Ishte gjykata e lartë jashtë funksionit, tani gjykata e apelit është jashtë funksionit. Dhe kjo është mungesa e vizionit e dëshirës për të kuptuar që në atë kohë. Ne nuk kemi burime njerëzore që ta shkatërrojmë të gjithën dhe kemi burime njerëzore për ta krijuar? .

Edhe pse e distancoi veten nga të qenit ekspert i sistemit zgjedhor, Halimi shprehu mendimin se mazhoranca ka kapur të gjitha sistemet dhe kjo sipas tij vjen nga mungesa e rrotacionit, që e bën qeverinë autoritariste.  Ai theksoi se duke i hequr të gjitha mekanizmat opozitës e thërrmon atë.

 “Nuk jam ekspert nuk është fusha ime, por problemi me demokracitë hibride është pjesa e mungesës së llogaridhënies. Duke kapur të gjitha sistemet ndodh mungesa e meritokracisë. Jo se është keq kushtetuta se ne vetë me vullnetin tonë kemi hequr ngërçet. Një mazhorancë mund të rrijë dy mandate dhe të ketë ndikim në institucione që do t’i kërkojnë llogari qeverisë kur kalon në 3 kjo piramidë shembet dhe ai që merr mandatin e tretë merr të gjitha institucionet. Dhe në rastin kur kalojmë në qeveri autokrate, atëherë e nxjerr nga shinat kushtetuese. Dhe këto ngërçe duhet të kalojnë. Duke i hequr të gjitha mekanizmat opozitës e çon në cep të ringut, kalojmë në zgjidhje që janë jashtë shinave kushtetuese. Shkaku i situatës është që nuk duhet të kemi një ngërç kushtetues. I kemi hequr me vetëdije se demokracia e klasa politike do shëndoshej dhe reagimi qytetar do të ishte i fortë. Mungesa e rrotacionit sjell qeveri autoritariste në gjithë Ballkanin Perëndimor. Nuk është problemi i kushtetutës, por mungesës së rrotacionit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos