
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur garën për rekrutimin e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Kandidatët duhet të kenë eksperiencë në fushat e përcaktuara në Ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në fushat që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (Ekonomik, Teknologji e Informacionit).
Për të aplikuar për pozicionin e hetuesit të BKH-së kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 6 dhe nenin 38 të Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” (Ligji Nr.95/2016), si dhe do të dorëzojnë vërtetime për vlerësimet për aftësitë e tij /saj profesionale, etike dhe integritetin moral, se ndaj tij/asaj nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore dhe një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit që do të pohojë se kandidati nuk është palë ose përfaqësues ligjor në çështje që janë objekt hetimi nga BKH dhe Prokuroria e Posaçme.
Aplikimet duhet të dërgohen jo më vonë se të martën e 29 shtatorit. Ditën e sotme, ambasadorja amerikane Yuri Kim takoi Aida Hajnajn, kreun e BKH-së, duke i shprehur mbështetjen e saj. (A2 Televizion)