Hapet Qendra e re Shëndetësore “Kodra e Diellit”, Manastirliu: Nga e hëna 4 pika të reja të testimit të shpejtë në komunitet

Nga A2 CNN
30 Janar 2021, 12:39 | Aktualitet
Hapet Qendra e re Shëndetësore “Kodra e Diellit”,

Nga dita e hënë në Tiranë do të shtohen 4 pika të reja për testimin e shpejtë në komunitet, me qëllim kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve me COVID19. Kjo u njoftua nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të qendrës së re shëndetësore te Kodra e Diellit në kryeqytet.

"Në Tiranë kemi 6 pika testimi dhe nga dita e hënë do të kemi edhe 4 pika të reja, pra 10 pika në Tiranë që do ti dedikohen testimit të shpejtë, nëpërmjet testit të shpejtë të antigenit që kryhet nga epidemiologe të trajnuar dhe që sigurisht rrisin shpejtësinë e bërjes së testit, shkurtojnë kohën e pritjes dhe bëjnë atë që ne synojmë, kapjen e hershme, izolimin e rasteve dhe shkëputjen e zinxhirit të infeksionit", tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se pavarëisht pandemisë, puna për hapjen e qendrave të reja shëndetësore nuk ka ndalur. Sipas saj qendra shëndetësore “Kodra e Diellit” do t'ju shërbejë 12 mijë banorëve të kësaj zone.

"12 mijë banorë do të kenë tashmë qendrën e tyre shëndetësore afër vendbanimit dhe jam e kënaqur që arritëm që ta krijojmë këtë pikë të re ambulance të Qendrës Shëndetësore Selitë, në një kohë të shkurtër, me gjithë ekipin e mjekëve dhe infermierëve që i shërbejnë komunitetit. Në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore kemi mundësuar përmirësimin e infrastrukturës në fshat, në qytet me të njëjtat standarde me rehabilitimin e të gjitha qendrave shëndetësore në vend, por gjithashtu ia kemi dalë të shtojmë shërbime, duke hapur qendra të reja në të gjithë vendin", tha Manastirliu, e cila shoqërohej nga kryebashkiaku Veliaj. Ky i fundit u shpreh se në të gjitha lagjet e Tiranës tashmë ofrohet shërbim me standarde dhe afër vendbanimit.

Në Tiranë veç pikës së re "Kodra e Diellit do të shtohen edhe dy pika të tjera të ambulancave në Lana-Bregas dhe në zonën e Astirit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos