
Pasoja të papërgjeshmërisë së qeverisë e ka konsideruar mjeku Erjon Dasho situatën me shifrat e rritura të të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, sidomos ditët e fundit. I ftuar në Ditari në A2 CNN ai tha se situata është shqetësuese dhe serioze, pasi 25 % e personave të testuar rezultojnë pozitive. Kjo sipas tij tregon numrin e ulët të testimeve.
“Shifrat në këto nivele janë pasojë e papërgjegjshmërisë. Në Shqipëri nuk merren masa, por vetëm gjobitja dhe vazhdojnë restorantet e klubet jetët e tyre. Ndërsa në vendet evropiane kanë marrë masa të përgjegjshme, testime, përgjigje me trajtimin, në Shqipëri ka papërgjegjshmëri të shtetit nuk ka masa për parandalimin e trajtimit. Qytetarët po trajtohen në shtëpi. Spitalet terciare e kanë ulur kapacitetin. Situata është shqetësuese e serioze dhe këto dy ditë kanë mbi 25 % e personave të testuar rezulton pozitiv. Situata ka rrëshqitur prej muajsh nga duart. Shqipëria me numrin e popullsisë nuk duhet të ishte aspak në këtë situatë, por si vendet e vogla që e kanë menaxhuar shumë mirë situatën dhe pa pasoja për jetën e qytetarëve. Ne nuk po testojmë sa duhet. Nëse nr. i testimeve nuk rezulton me 5 dhe 10% të prekur, por arrin në nivele 25-28% flet për numër testimet shumë të ulët dhe situatë që nuk dihet”.
Për Dashon roli i qeverisë është i dënueshëm dhe duhet parë si çështje ligjore, ndërsa rendit edhe arsyet e këtij mendimi, ai shton se, situata me vaksinimin në Shqipëri është qesharake në funksion të propagandës dhe fushatës elektorale dhe jo në interes të shëndetit të njerëzve.
“Qeveria nuk po kujdeset por ka marrë një rol që është i dënueshëm duhet parë si çështje ligjore. Të shohësh zhvillimin e epidemisë dhe të mos marrësh masat për shpëtimin e jetës së qytetarëve të tu. Në radhë të parë duhet të analizojmë vonesat e vaksinave dhe këtu nuk e fajëson dot qeverinë shqiptare. Këto kompani nuk janë në gjendje të plotësojnë kontratat që kanë nënshkruar dhe është e vështirë të prodhosh atë sasi që ka nevojë tregu. Qeverinë e fajësojmë për momentin e hyrjes në lojë për të siguruar vaksina nga kontakti direkt me firmën. Shpresat u vendosën te Covax. Shqipëria duhet të kishte ndjekur shembullin e Serbisë dhe Hungarisë. Këto janë qeveri vizionare dhe kuptojnë rëndësinë e situatës. Kjo ishte e pafalshme u prit dhjetori për të nisur përçapjet me firmat prodhuese. E dyta është mënyra e administrimit të 900 dozave të vaksinave, kur u deklarua se 600 doza mund të administrohen brenda një dite. Nëse interesi i qeverisë do ishte mbrojtja e mjekëve sot duhet të merrnin dozën e dytë. Në vend që të vaksinohen 600 doza në ditë siç u tha, por vaksinohen në stadium 10 veta në ditë. Situatë qesharake që nuk ka lidhje me vaksinimin, por me fushatën elektorale për qëllime elektorale dhe demagogjike dhe propagandë”.
I pyetur për ofertën ruse për vaksinën, Dasho e konsideron të çuditshme deklaratën e kryeministrit Rama, që një vend si Shqipëria pa kapacitetet e duhura shkencore t’i lejojë vetes ta cilësojë vaksinën të paefektshme. Sipas tij kjo tregon shkëputjen nga realiteti dhe nuk e nderon qeverinë shqiptare.
“Më është dukur e çuditshme që një vend si Shqipëria i lejon vetes të bëjë komente mbi institute me teknologji të avancuar dhe ka qenë superfuqia e dytë në botë. Ne bëjmë komente për vaksinat, kur aplikojmë vaksina indiane. Të bësh komente do të thotë të luash me shëndetin e njerëzve të tu. Këto hyjnë në fushën e politikës dhe propagandës, por ajo që më çuditi përgjigja e kryeministrit tonë ndaj ofertës ruse, e cila flet për një megalomani që nuk i shkon një vendi të vogël si Shqipëria dhe nuk kemi asnjë kapacitet shkencor për të vlerësuar vaksinën ruse. Ti japësh luksin vetes si shtet pa kapacitete shkencore, ta cilësosh si të paefektshme tregon shkëputjen nga realiteti dhe që nuk e nderon qeverinë shqiptare”. (A2 Televizion)