Rrëshqitje masive shkëmbore në rrugën Kukës-Shishtavec, vështirësi në qarkullim

Nga A2 CNN
30 Janar 2021, 10:56 | Aktualitet

Reshjet e shiut me intensitet të lartë gjatë natës në të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit kanë sjellë rrëshqitje gurësh dhe inertesh. Sipas njoftimit të Qarkut rrugët nacionale të gjitha janë të kalueshme normalisht dhe kontraktorët kanë punuar për pastrimin dhe mbajtjen në gatishmëri të tyre.

“Rrugët rurale në inventar të bashkive janë të qarkullueshme, përveç rrugës që lidh fshatin Gdheshtë, Pistë dhe Vrish me rrugën nacionale. Vështirësi për qarkullim paraqet dhe rruga që lidh fshatin Turaj dhe Xhferaj me Nj.Ad Topojan. Rrëshqitje të masive shkëmbore nga reshjet e fundit ka edhe në rrugën Kukës-Shishtavec. Rrëshqitjet janë të mëdha duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Në këtë rrugë po punohet për largimin e tyre”- thuhet në njoftim.

Gjendja e rezervuarëve është në monitorim në gjithë Qarkun e Kukësit, ndërsa probleme me energjinë kanë disa njësi administrative

“Furnizimi me  ujë të pijshëm ka qenë normal në shkallë Qarku. Furnizimi me energji elektrike në përgjithësi është normal në të gjithë Qarkun Kukës përveç  Nj. Ad. Topojan  dhe fshatit Shemri Nj. Ad. Malzi bashkia Kukës, si dhe fshati Pogaj Nj. Ad. Gjinaj Bashkia Has”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos