
Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje për shërbimet ajrore, e cila do të mundësojë shkurtim të kohës së udhëtimeve dhe ulje të çmimit të biletave për qytetarët e të dyja vendeve. Marrëveshja u firmos gjatë vizitës në Kosovë të kryeministrit me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, dy liderët theksuan nevojën për një ujdi të tillë për përmirësimin e atmosferës rajonale të bashkëpunimit.
“Marrëveshja që e nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të Aviacionit Civil. Mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore dhe të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë me këtë marrëveshje lehtësisht mund të shtojë edhe një fluturim”, tha Kurti.
Ai shtoi se marrëveshja mundëson që korridoret ekzistuese ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, që deri më tani janë shfrytëzuar për fluturime ushtarake të NATO-s, të përdoren edhe për aviacionin civil.
Sakaq, Abazoviç theksoi se e ardhmja e gjithë rajonit është në Bashkim Evropian, ku përmendi përparim të 2 qeverive në fushën e sundimit te ligjit dhe progresin ekonomik.
Kryeministri në detyrë i Malit të zi, siguroi po ashtu Kosovën se do ta përkrahë në aplikimet për anëtarësim në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë dhe se pavarësisht “proceseve politike” në shtetin e tij, politika zyrtare e Malit të Zi karshi Kosovës nuk do të ndryshojë.
Abazoviç duket se iu referua zgjedhjes së Jakov Millatoviqit në postin e presidentit, i cili pavarësisht angazhimit për t’u afruar më shumë me Serbinë, ka deklaruar se nuk do të ketë tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës. (A2 Televizion)