
Gati 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore të Kosovës, qytetarët serbë që jetojnë atje, mendojnë se nuk ka kushte për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, dhe thonë se nuk do të marrin pjesë ne votim.
Të paktë janë ata qytetarë të cilët pranojnë të flasin publikisht për Kosova Press lidhur me çështjen, por pas kamerave shprehen të frikësuar të dalin në zgjedhje, për shkak të kërcënimeve nga grupe të caktuara.
Me krijim të kushteve, qytetarët nënkuptojnë rikthimin e serbëve në institucione. Situata aktuale politike dhe e sigurisë është e rëndë dhe e pasigurt, kështu që çdo shkëndijë mund ta ndezë fuçinë e barutit që ndodhet në veri.
Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës është e qartë se pas marrëveshjes së Ohrit nuk kanë arritur asgjë që do të ishte në interesin e qytetarëve dhe të qetësimit të situatës në terren.
Zgjedhjet në katër komunat veriore u shpallën pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar për shkak të përplasjeve rreth çështjes së targave.
Fillimisht ishin parashikuar për në datën 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill. (A2 Televizion)