
Marrja e masave për fillimin e vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar në Kukës, duke pasur parasysh edhe protokollet që duhen zbatuar në kushtet e pandemisë, duket se ka vënë në vështirësi dy institucionet kryesore përgjegjëse për krijimin e kushteve sa më optimale, që janë bashkia dhe zyra vendore e arsimit.
Vetë kryetari i bashkisë së Kukësit Safet Gjici ka pranuar për A2, se fondet e përllogaritura për një vit të zakonshëm shkollor janë të pamjaftueshme për situatën ku ndodhemi dhe se nevojiten disa fonde shtesë nga qeveria.
“Fondet janë shumë të pakta, ju e dini sa taksa mbledhim ne në Kukës, tani kemi edhe situatën e pandemisë, ku bizneset po kërkojnë të paguajnë me këste, do të ishte mirë që qeveria të na japë fonde, kemi shkolla shumë të dëmtuara, si gjimnazi Havzi Nela”, pohon Gjci.
Mungesa e ujit të pijshëm është një nga problematikat kryesore për shkollat që mbulohen nga bashkia e Kukësit, fakt të cilin e deklaron vetë drejtori i zyrës rajonale të arsimit, Skënder Ahmeti.
“Shpresojmë të kemi një zgjidhje të pranueshme për ujin e pijshëm, sepse duhet të pranojmë situatën që kemi në Kukës” pohon ai.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Kukësit ka këtë zgjidhje për furnizimin e shkollave me ujë, atje ku nuk do të kenë mundësi të furnizohen nga rrjeti i ujësjellësit.
“Janë marrë masat që shkollat mos të kenë problem me ujin e pijshëm. Edhe shkollat që nuk do të kenë ujë të rrjedhshëm, do të furnizohen me botet e ujësjellësit”, thotë Gjici.
Pavarësisht këtyre vështirësive jo të vogla, drejtuesit lokalë të qytetit verior angazhohen se shkollat do të hapen të gjitha në datën 14 shtator, për të parë më pas mënyrën se si do të vijojnë procesin mësimor. (A2 Televizion)