
Ishte sesion i dështuar përpara se të fillonte. Këshilli i Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës mbajti takimin e tij të tretë, në të cilin pati tensione të theksuara mes palëve.
Gjatë diskutimeve për zhvillimet e fundit, kryeministri Ramush Haradinaj pati një përplasje të ashpër me shefen e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherinin.
Delegacioni kosovar tha për mediat e Prishtinës se Haradinaj nuk ka pranuar në asnjë mënyrë heqjen e taksës 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, kërkesë kjo që në vazhdimësi është bërë nga Brukseli.
Përplasjet mes dy palëve u bënë dhe më të theksuara me anulimin e konferencës së përbashkët. Delegacioni i Kosovës u kryesua nga kryeministri Haradinaj, ndërsa ai i BE-së nga Federica Mogherini.
Para takimit, Mogherini dhe Hahn i dërguan një letër kryeministrit Haradinajt, duke përsëritur thirrjen për heqjen e tarifës tregtare.
Qeveria e Prishtinës u përgjigj duke rikonfirmuar se kjo taksë do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia të njohë Kosovën. (A2 Televizion)