
Avokatët protestuan përpara Këshillit të Lartë Gjyqësor kundër Hartës së re, e cila sipas tyre minimizon aksesin e qytetarëve në drejtësi, por në të njëjtën kohë ndikon në kostot financiare.
Shumica e Dhomave Vendore të Avokatisë u bashkuan përpara polit të drejtësisë, duke u shprehur se do të prezantojnë qëndrimet e tyre finale për këtë çështje e nëse nuk dëgjohen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Ata e konsideruan protestën si një përpjekje të fundit që KLGJ-ja të rishikojë draftin për hartën e re gjyqësore.
Prej gati tre javësh, avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore, si edhe masat e sigurimit. Lidhur me këtë, kryeministri Rama tha se harta gjyqësore nuk ka për të ndryshuar duke thënë se bojkoti është i pavlerë. Projekti pritet të dërgohet në qeveri e cila nëpërmjet një vendimi do të miratojë propozimin e këshillit të lartë gjyqësor.
Aktualisht, Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar, ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. (A2 Televizion)