Hernandez si Panucci, te Milani rikthehet entuziazmi

Nga A2 CNN
20 Janar 2020, 15:56 | Futboll
Hernandez si Panucci, te Milani rikthehet entuziazmi

Dekada e re ka rikthyer entuziazmin në kampin e Milanit. Ardhja e Ibrahimovic zgjoi interesin e tifozëve kuqezinj, ndërsa ekipi është përgjigjur, të paktën në 3 ndeshjet e fundit, ku ka marrë 3 fitore.

Suedezi është ai që ka marrë një vëmendje të madhe, por një tjetër lojtar është duke shkëlqyer te skuadra e Piolit.

Në fillim të sezonit, të gjithë prisnin që Piatek të ishte në krye të listës së golashënuesve, por polaku ka rezultuar një dështim total. Jo vetëm që nuk është në listën e golashënuesve të kampionatit, por ai është kaluar edhe nga një mbrojtës në ekipin e tij. Theo Hernandez është golashënuesi më i mirë i Milanit këtë sezon. Edhe pse mbrojtës, francezi ka arritur të realizojë 5 gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Italisë.

Për të gjetur një rast të ngjashëm te kuqezinjtë, kur një mbrojtës ka realizuar 5 gola, duhet të rikthehemi në sezonin 1995/1996, atëherë kur Christian Panucci shënonte 5 gola në një sezon të vetëm me kuqezinjtë. Tashmë, Theo ka të gjitha mundësitë për të thyer këtë rekord të Panuccit, pasi janë zhvilluar vetëm 20 ndeshje dhe janë edhe 18 për t’u luajtur.

Megjithatë, Milani është ende larg pritshmërive për këtë sezon, pasi aktualisht ndodhet 10 pikë nga vendi i katërt që mbahet nga Roma, e që të çon në Champions League. (A2 Televizion)

https://www.youtube.com/watch?v=nuKs1WI1lxs

A2 CNN Livestream

Latest Videos