
Michael Ngoo, sulmuesi gjigand, është heroi i Tiranës, i cili i dha fitoren ndaj Bylisit këtë të mërkurë në triumfin 2-1, duke i ngjitur bardheblutë në vendin e dytë me një pikë më pak se Kukësi.
Por Ngoo ishte edhe protagonist i golit shumë të diskutuar nga ballshiotët për një prekje me dorë të topit.
Në deklaratën pas ndeshjes, Ngoo u shpreh se nuk e di nëse e ka prekur topin në dorë, por ka menduar vetëm të kalojë vijën fatale.
“Nuk e mbaj mend nëse e preka topin me dorë, ajo që na duhej ishte vetëm goli. Thjesht pashë topin, pashë 10 lojtarë thashë të marr topin dhe ta shtyj me gjithë lojtarët në rrjetë. Kaq ishte e gjitha”.
Më tej, ai thotë se ende nuk është në maksimumin e tij. “Faza përgatitore në Antalia, ndryshimi i orarit, udhëtimi dhe ambientimi ndikuan pak sot. Jam i mendimit se ne Antalia kam qenë më mirë, më në formë se sot. Dua të them që Tirana është një skuadër që i dominon kundërshtarët. Në aspektin personal, pres të jem më lart”. (A2 Televizion)