Hetim dhunimit të adoleshentit, prokuroria kërkon pezullimin nga detyra të policit

Nga A2 CNN
3 Qershor 2020, 19:42 | Aktualitet
Hetim dhunimit të adoleshentit, prokuroria kërkon pezullimin nga

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për ngjarjen e 17 majit pranë digës së Liqenit Artificial në kryeqytet, ku një 15-vjeçar u dhunua nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë momenteve të ndalimit.

Pamjet e brutalitetit policor u regjistruan nga kalimtarë të rastit dhe bënë xhiron në web. Pas veprimeve të para hetimore, prokuroria i ka kërkuar gjykatës pezullimin nga detyra të një prej punonjësve të policisë të përfshirë në ngjarje. Ai është efektivi Glein Ndreu, i njëjti që shfaqet në pamje duke qëlluar të miturin, në momentet kur kolegët po e prangosin atë.

Sipas prokurorisë, Ndreu ka goditur me pëllëmbë dhe me grusht të miturin teksa ishte i shtrirë dhe po ashtu pasi ai ngrihet në këmbë. Ai dyshohet të ketë konsumuar veprën penale të “kryerjes së veprimeve arbitrare”.

Vijimi i hetimit pritet të zbardhë nëse kanë përgjegjësi penale efektivët e tjerë të përfshirë në ngjarje. Pas ngjarjes, Policia e Shtetit deklaroi se i riu ishte ndaluar për shkak se po lëvizte me biçikletë përtej fashës orare të lejuar.

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, justifikoi veprimet e efektivit para Komisionit të Sigurisë, duke prezantuar një video të nënës së tij me një armë në dorë, që më vonë rezultoi të ishte një sekuencë filmi.

Këtë të mërkurë, Zaida Çobo, nëna e të miturit, paditi në Gjykatën e Tiranës Veliun, duke kërkuar 1 milionë lekë të rinj dëmshpërblim prej tij, për cenim të nderit dhe dinjitetit, duke i publikuar të dhënat personale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos