Hetuesit belgë sërish në SPAK, në kërkim të së vërtetës për paratë

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2022, 10:28 | Aktualitet
Hetuesit belgë sërish në SPAK, në kërkim të

Hetuesit belgë që ditën e enjte kanë marrë në pyetje Lulzim Bashën, kanë shkuar sërish në orët e para të mëngjesit në ambientet e SPAK.

Sipas informacioneve, mësohet se hetuesit belgë do të vijojnë marrjen në pyetje të personave të tjerë që mund të kenë dijeni, lidhur me paratë e sekuestruar në automjetet tip “Toyota Auris”.

Mësohet se hetuesit belgë për këtë çështje do të marrin 22 persona, të cilët janë miq, familjarë, të personave në akuzë, por edhe persona që dyshohet se janë të përfshirë në aktivitet kriminal.

Hetuesit belgë prej 3 ditësh ndodhen në vendin tonë, ndërkohë që ato do vijojnë të qëndrojnë deri në përfundimin e marrjes në pyetje.

Pak ditë para se dy makinat të kapeshin në port, Basha deklaroi në Parlament se Taulant Balla kishte porositur një makinë me para “droge” brenda. Balla e akuzoi Bashën se ishte ai porositësi i parave, duke publikuar edhe një foto të një prej personave të shpallur në kërkim në atë kohë, bashkë me Bashën, në zyrën e këtij të fundit.

Kjo është hera e dytë që Basha merret në pyetje për këtë çështje, pasi ka dëshmuar edhe në vitin 2019 në Prokurori. Atëherë, Basha deklaroi se informacionet e plota do t’ua jepte prokurorëve belgë.

Pas gjetjes së tyre në Durrës, ish-Prokuroria për Krimet e Rënda ngriti dyshime për një grup kriminal që pastronte para. Për çështjen, u shpallën në kërkim vëllezërit Ervis dhe Alfred Vladi, ndërsa u arrestuan katër të tjerë, që u liruan në janar 2020.

Hetimi nuk i provoi akuzat dhe dosja i kaloi Prokurorisë së Tiranës, e cila dërgoi si të pandehur vetëm Elvis Vladin, për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të shumave dhe sendeve me vlerë”. Gjykata e Tiranës shpalli fajtor Ervis Vladin për faktin se nuk deklaroi në kufi milionat e eurove të fshehura në mjetet “Toyota”. Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të shumave dhe sendeve me vlerë”, por përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/02/10/basha-nga-spak-ceshtja-toyota-nuk-eshte-mbyllur-jemi-ne-dispozicion-te-drejtesise-duan-apo-nuk-duan-te-korruptuarit-dhe-ata-non-grata/
https://a2news.com/video/dosja-toyota-basha-ne-spak-pyetet-prej-prokuroreve-belge/

A2 CNN Livestream

Latest Videos