Banorët e "5 majit", Rama fut protestuesit në parlament: Trajtim si për tërmetin

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2022, 16:20 | Aktualitet
Banorët e "5 majit", Rama fut protestuesit në parlament:

Banorët e "5 majit" protestuan sërish para parlamentit, por këtë herë në mesin e tyre u afrua kryeministri Edi Rama. Tre prej protestuesve, me në krye nënë Lizën, i ftoi të diskutonin në ambientet e brendshme të godinës parlamentare, veprim të cilin e kishte bërë disa muaj më parë edhe me fermerët e Lushnjës.

Pas disa minutash dolën së bashku para kamerave, ku Rama garantoi se të gjithë banorët, përfshirë ata që i kanë shtëpitë të ndërtuara pa leje, do të trajtohen njësoj sikur të ishin dëmtuar nga tërmeti.

Gruaja e moshuar e kthyer në simbol të rezistencës përballë forcës së pushtetit, nuk ishte e bindur nga fjalët e kryeministrit. Edhe më e palumtur ishte një tjetër zonjë që kryeministri mori me vete për të diskutuar.

Nga Parlamenti protestuesit u zhvendosën më pas pranë Bashkisë së Tiranës, ku qëndruan deri në momentin kur administrator i Njësisë 8, telefonoi nënë Lizën, duke e njoftuar se me urdhër të kryeministrit, kishte gati kontratën.

Pasi u njoh me përmbajtjen e letrave ku ftohej të hidhte firmën, gruaja e moshuar refuzoi. Sipas saj, asgjë nuk kishte ndryshuar dhe nuk përcakohej një datë kur do ta merrte shtëpinë. “Asgjë s’ka ndryshuar, ky është mashtrim, nuk e firmosa”, tha nënë Liza.

Banorët e “5 majit”, Laprakës dhe Paskuqanit paralajmëruan se do të vijojnë protestat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos