
Elisa Spiropali, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, u shpreh në “Absolut 4” në A2 CNN se mazhoranca është gati për të diskutuar në tryezë propozimin e Partisë Demokratike për vetting-un në politikë.
“E kemi thënë shumë herë: jemi gati për t’i diskutuar në tryezë të gjitha nismat. Kemi nevojë të ulemi në tryezë. Unë nuk e paragjykoj dhe nuk i hyj detajeve të vetting-ut në politikë, por duhen diskutuar të gjitha. Ne jemi gati që të bëjmë një dialog cilësor për të gjitha çështjet. Si duhet bërë vetting-u në politikë? Duhen parë opinione e procedura. Por, mesa shoh, këto hidhen për konsum publik në një kohë të vështirë për opozitën”, deklaroi Spiropali.
Ndërsa Dritan Shano, ekspert i ekonomisë, theksoi se është “kundër një propozimi që ngarkon përsëri strukturat e shtetit me një detyrë që duhet ta kryejnë vetë partitë”.
“Ka dallim mes kërkesës për të zgjatur afatin për vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkesës së PD-së për vetting në politikë. Reforma në Drejtësi duhet të avancojë dhe të përfundojë. Ndërsa, sa i përket propozimit për vetting në politikë, personalisht jam plotësisht kundër një propozimi që ngarkon përsëri strukturat e shtetit me një detyrë që duhet ta kryejnë vetë partitë. Partitë marrin para’ nga shteti dhe duhet të ngrenë vetë filtra që t’i prodhojnë shqiptarëve një përfaqësim të panjollë. Kryetarët nuk mundet që përgjegjësinë e tyre personale t’ia shkarkojnë institucioneve të shtetit. Nuk mundet që një parti të kërkojë të bëjë vetting politik me paratë e taksapaguesve”, u shpreh Shano.
Studiuesi Afrim Krasniqi beson se “PD-ja po e propozon vetting-un në politikë duke e ditur që nuk do të miratohet, por do që të thotë se është gati për sakrificë”.
“Për mua mjafton një nen: që partisë politike që i del një këshilltar, kryebashkiak apo deputet i lidhur me krimin, humbet mandatin dhe penalizohet financiarisht. Nëse duam reforma serioze duhet të marrim modelin kroat dhe modelin rumun. Atje pastrimi ka nisur nga brenda partive”, theksoi Krasniqi.
Analisti Ilir Kalemaj shprehet se “drafti i vetting-ut në politikë është konfuz dhe nuk e dimë nëse është plotësues i dekriminalizimit”.
“Po ashtu kemi ligjin antimafia, pra kemi një bazë ligjore. Gjithsesi, është për t’u përshëndetur nisma. Kjo ka në thelb pastrimin e politikës, por e delegon këtë gjë te strukturat shtetërore. Partitë nuk e kryejnë vetë këtë funksion pasi kanë kryetarokraci brenda tyre. Gjithçka funksionon nëpërmjet të fortëve dhe trafiqeve që kanë financuar fushata elektorale”, deklaroi Kalemaj. (A2 Televizion)