
“Drejtësia është çështje pa kushte dhe nuk ka arsye pse opozita të mos ta votojë tani zgjatjen e afateve të anëtarëve të vetingut, në mënyrë që kjo të përfundojë”. Eksperti i Ekonomisë Dritan Shano deklaroi në studion e “Absolut 4”, se pavarësisht kësaj opozita do ta përdorë këtë çështje. Por ai këshillon deputetët opozitarë që të kërkojnë afat dhe mbajtje përgjegjësie.
“Unë do t’u jepja këshillë atyre të opozitës në parlament që të kërkonin afatin, kush mban përgjegjësi dhe çfarë përgjegjësi mban nëse ky afat nuk mbaron? Kjo do të ishte pjesë e votimit”.
Sipas tij sistemi i drejtësisë duhet të çlirohet nga politika, pasi pjesë të reformës në drejtësi janë nën kontroll prej saj.
“Copëza të reformës në drejtësi janë mbajtur nën kontroll do të ishte mirë që sistemi i drejtësisë të çlirohet nga çdo kontroll i politikës. Këtë do të doja të shikoja sa më shpejt të ishte e mundur”.
Që ky proces të jetë i besueshëm, thekson Shano, duhet që të veprohet me shpejtësi, pasi kohët e gjata parlamentare janë të paarsyeshme në një vend të vogël si Shqipëria.
“Ne kemi një institut që duhet të mbyllë derën se nuk ka kryer punën. Që të marrë besueshmëri procesi të gjitha këto duhet të ndodhin me shpejtësi. Kohët e gjata parlamentare janë të paarsyeshme. Ne jemi republikë e vogël dhe këto çështje duhet të ishin të shpejta dhe ata që merren me këtë punë dhe marrin para më shumë, duhet të punojnë të paktën 18 orë në ditë”. (A2 Televizion)