“Hiqeni apendicitin siç e hoqa unë”. Rama: Më 14 maj qëndroni në krahun e duhur të historisë

Nga A2 CNN
26 Prill 2023, 10:08 | Politikë
“Hiqeni apendicitin siç e hoqa unë”. Rama: Më 14

Kryeministri Edi Rama tha se zgjedhjet e 14 majit nuk janë thjesht për caktimin e drejtuesve vendorë. “Pavarësisht se këto janë zgjedhje vendore, më 14 maj vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe atyre vendore”, tha Rama pas mbledhjes së kryesisë.

“Këto zgjedhje kanë edhe një komponent tjetër, më 14 maj njerëzit duhet absolutisht të qëndrojnë në krahun e duhur të historisë. Dhe krahu i duhur nuk është thjesht PS-ja, por është të qëndrosh në krah të aleancave strategjike të Shqipërisë”.

Rama tha se i ka quajtur kandidatët e opozitës si “kukulla të një çifti”, ku ndodhet edhe një person i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara. “Kemi thirrje të përsëritura nga aleati për të bërë shumë kujdes. Sepse natyrisht zgjedhja është e shqiptarëve, por edhe zgjedhja apo natyra e marrëdhënieve, është e aleatëve tanë”.

I pyetur mbi deklaratat e tij për të mos votuar kandidatët e opozitës, pasi në të kundërt nuk do të ketë bashkëpunim me qeverinë qendrore, Rama tha: “Ky nuk është presion, kjo është një mënyrë për t’ia thënë drejtpërdrejt njerëzve sepse do të jetë i pamundur bashkëpunimi, sepse këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit, por për të krijuar oaze të luftës politike, për të ngritur barrikada me qeverinë qendrore dhe për t’i trajtuar bashkitë si pengje lufte”.

“Ne do të bëjmë tonën në çdo bashki, por në Shkodër e kemi pasur zero bashkëpunimin, jo se nuk kemi dashur, por sepse kandidatët e këtyre forcave i përkasin një familjeje të shthurur politike, e cila nuk ka pasur kurrë aftësinë të drejtojë në funksion të komuniteteve. Shkodra sot është i vetmi qytet i Shqipërisë, ku plehrat rrinë mbi kazanë me ditë të tëra dhe nuk mblidhen. Njësoj siç ishin në çdo qytet para se ne ta vendosnim prioritet pastrimin e qyteteve tona. Zgjedhja është mes një force të madhe politike që ka treguar se çfarë di të bëjë dhe që ka treguar vullnetin se mund të bëjë akoma më shumë. Siç hoqa unë apendicitin tim, edhe shqiptarët duhet ta heqin apendicitin e tyre”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/04/25/kandidatet-e-ps-shalqi-me-prove-rama-qytetareve-ne-mallakaster-vetem-me-ne-mund-te-ecni-para/
https://a2news.com/2023/04/24/rama-kishte-filluar-terrorin-berisha-e-meta-njezeri-jugu-ndryshon-me-14-maj/

A2 CNN Livestream

Latest Videos